Manifesti Guerrilas i Qasjes së Hapur (open access)

Kontekst: en.wikipedia.org/wiki/Guerilla_Open_Access_Manifesto


Informacioni është pushtet. Por si çdo pushtet, ka nga ata që duan ta mbajnë për vete. E gjithë trashëgimia shkencore dhe kulturore e botës, e botuar gjatë shekujve në libra dhe revista, po digjitalizohet dhe mbyllet gjithnjë e më shumë nga një grusht korporatash private. Do të lexosh studimet që prezantojnë rezultatet më të famshme në shkenca të ndryshme? Do të duhet t’i paguash shuma të mëdha botuesve si Reed Elsevier.

Ka nga ata që po luftojnë ta ndryshojnë këtë realitet. Lëvizja e Qasjes së Hapur (në anglisht: open access) ka luftuar me guxim për të siguruar që shkencëtarët të mos i lëshojnë të drejtat e tyre të autorit, por përkundrazi të sigurojnë që puna e tyre të publikohet në internet, me kusht që të lejojnë këdo që t’i qaset. Por edhe në skenarët më të mirë të mundshme, puna e tyre do të zbatohet vetëm për publikimet në të ardhmen. Gjithçka deri më tani do të ketë humbur.

Kjo është një kosto shumë e madhe për t’u paguar. Të detyrosh akademikët të paguajnë para për të lexuar punën e kolegëve të tyre? Të skanosh biblioteka të tëra, por t’i lejosh vetëm ata të Google t’i lexojnë ato? T’i ofrosh akses në artikuj shkencorë për ata në universitetet elitare në Botën e Parë, por jo për fëmijët në Jugun Global? Është mizore dhe e papranueshme.

“Jam dakord,” thonë shumë, “por çfarë mund të bëjmë ne? Kompanitë mbajnë të drejtat e autorit, ato fitojnë shuma të mëdha parash duke na imponuar të paguajmë për akses dhe është krejtësisht e ligjshme - nuk mund të bëjmë asgjë për t’i ndaluar ato.” Por ka diçka që mundemi të bëjmë, diçka që tashmë po bëhet: ne mund të kundërpërgjigjemi.

Ata që kanë akses në këto burime - studentë, bibliotekarë, shkencëtarë - ju është dhënë një privilegj. Ju mund të ushqeheni në këtë banket dijesh ndërsa pjesa tjetër e botës është e mbyllur jashtë. Por ju nuk keni përse bëni diçka të tillë - në të vërtetë, moralisht, nuk mundeni - ta mbani këtë privilegj për veten tuaj. Ju keni për detyrë ta ndani atë me botën. Dhe ju e keni bërë këtë: keni ndarë fjalëkalimet me kolegët, keni plotësuar kërkesat e miqve tuaja për të shkarkuar materiale të tilla.

Ndërkohë, ata që janë mbyllur jashtë nuk po qëndrojnë duarkryq. Ju keni kaluar fshehurazi nëpër vrima dhe keni ngjitur gardhe, duke çliruar informacionin e mbyllur nga botuesit dhe duke i ndarë ato me miqtë tuaj.

Por i gjithë ky veprim ndodh në errësirë, fshehur nën tokë. Quhet vjedhje ose pirateri, sikur ndarja e një pasurie njohurish të ishte ekuivalenti moral i plaçkitjes së një anijeje dhe vrasjes së ekuipazhit të saj. Por ndarja në internet nuk është imorale – është një imperativ moral. Vetëm ata të verbuar nga lakmia do t’i refuzonin një miku të bënte një kopje.

Korporatat e mëdha, natyrisht, janë të verbuara nga lakmia. Ligjet sipas të cilave ata veprojnë e kërkojnë - aksionerët e tyre do të revoltoheshin për çdo gjë më pak. Dhe politikanët i kanë blerë, duke miratuar ligje që u japin atyre fuqinë ekskluzive për të vendosur se kush mund të bëjë kopje.

Nuk ka drejtësi kur ndiqen verbërisht ligje të padrejta. Është koha të dalim në dritë dhe, në traditën madhështore të mosbindjes civile, të shpallim kundërshtimin tonë ndaj kësaj vjedhjeje private të kulturës publike.

Ne duhet të marrim informacionin, kudo që ai ruhet, të bëjmë kopjet tona dhe t’i ndajmë ato me botën. Duhet të marrim materiale që janë jashtë kufizimeve të drejtave të autorit dhe t’i shtojmë tek arkivi. Ne duhet të blejmë baza të të dhënave sekrete dhe t’i vendosim ato në ndërrjet (internet). Ne duhet të shkarkojmë revista shkencore dhe t’i ngarkojmë ato në rrjetet e ndarjes së skedarëve (file sharing). Ne duhet të luftojmë për Guerilla Open Access.

Në qoftë se bashkohemi mjaftueshëm, në mbarë botën, ne jo vetëm që do të dërgojmë një mesazh të fortë kundër privatizimit të dijes - ne do ta bëjmë atë një gjë të së kaluarës.

Do të bashkohesh me ne?

Aaron Swartz

Korrik 2008, Eremo, Itali