Manifestoja e Hakerit - The Hacker's Manifesto
Një tjetër u kap sot, është në të gjitha gazetat. “Adoleshent arrestuar në skandal krimi kompjuterik”, “Haker arrestuar pasi aksesoi të dhënat e bankës”…
Fëmijë të mallkuar. Të gjithë janë njësoj.
Por a e ke parë ndonjëherë, me psikologjinë tënde bazike dhe dije teknike të viteve 1950, pas syve të një hakeri? A e ke pyetur ndonjëhere veten se çfarë e bëri atë të sillet ashtu, çfarë e formësoi, çfarë mund ta ketë brumëzuar?
Unë jam një haker, hyr në botën time…
Bota ime fillon që nga shkolla. E kam dëgjuar mësuesen të shpjegojë për të pesëmbëdhjetën herë se si të reduktoj një thyesë. E kuptoj. “Jo, zonja ‘Sherife’*, nuk e prezantova punën time. E bëra në kokën time…”
Fëmijë i mallkuar. Ndoshta e kopjoi. Të gjithë janë njësoj.
Bëra një zbulim sot. Gjeta një kompjuter. Një sekondë, kjo qenka e bukur. Bën atë që unë dua të bëjë. Nëse bën një gabim, është sepse unë gabova. Jo sepse nuk më pëlqen…
apo ndihet i kërcënuar nga unë…
apo mendon se jam i shkathët…
apo nuk i pëlqen mësimdhënia dhe nuk duhet të jetë këtu…
Fëmijë i mallkuar. Vetëm të luajë me videolojra di. Të gjithë ata janë njësoj.
Dhe pastaj ndodhi… Një derë u hap në një botë… Duke u ngutuar përmes linjës telefonike si heroina nëpër venat e një të droguari, një impuls elektronik dërgohet, një strehë nga paaftësitë e së përditshmes kërkohet… Një forum u gjet.
“E gjeta fiks… Këtu përkas…”
I njoh të gjithë këtu… Edhe nëse nuk i kam takuar kurrë, nuk kam folur kurrë me ta, ndoshta nuk do të dëgjoj kurrë më prej tyre… Ju njoh të gjithëve…
Fëmijë i mallkuar. Zuri linjën telefonike sërisht. Të gjithë janë njësoj…
Vë bast që jemi të gjithë njësoj… Na kanë ushqyer me lugë me ushqim për foshnje në shkollë kur ne kishim uri për biftek… Copëzat e mishit që ju na dhatë ishin të përtypura paraprakisht dhe pa shije. Jemi dominuar nga sadistë, ose injoruar nga apatikët. Ata të paktë që kishin diçka për të na mësuar na gjetën nxënës të gatshëm për të dëgjuar, por ata të paktë janë si pika uji në shkretëtirë.
Kjo është bota jonë tani… Bota e elektronit dhe çelësit (switch), bukurua e baudit**. Ne përdorim një shërbim që tashmë ekziston pa paguar për atë që mund të ishte shumë shumë e lirë nëse nuk do të administrohej nga një grup fitimprurësish llupsaxhinj, dhe ju na quani ne kriminelë. Ne eksplorojmë… Dhe ju na quani kriminelë. Ne ekzistojmë pa ngjyrë lëkure, pa kombësi, pa paragjykime fetare… Dhe ju na quani kriminelë. Ju ndërtoni bomba atomike, ju bëni luftëra, ju vrisni, ju mashtroni dhe na gënjeni dhe përpiqeni të na bëni të besojmë se është për të mirën tonë, dhe megjithatë ne qenkemi kriminelët.
Po, unë jam një kriminel. Krimi im është ai i kuriozitetit. Krimi im është ai i gjykimit të njerëzve nga ajo që thonë dhe mendojnë, jo si duken. Krimi im është ju tejkaloj me zgjuarsi, diçka që ju kurrë nuk do të ma falni.
Unë jam një haker, dhe kjo është manifestoja ime. Ju mund ta ndaloni këtë individ, por nuk mund të na ndaloni të gjithëve…
Në fund të fundit, të gjithë jemi njësoj.
The Mentor
Shënime:
- * Emri origjinal i mësueses është Smith, por në përkthim është adaptuar.
- ** Teksti origjinal ishte “The beauty of the Baud”: Fraza mund të interpretohet në disa mënyra të ndryshme, por në një kontekst më të gjerë kulturor, mund të evokojë nostalgji për kompjuterizimin e hershëm dhe telekomunikacionin, kur shpejtësitë e lidhjes matëshin në baude (si 300 baud, 1200 baud, etj.).
- Teksti origjinal në gjuhën angleze mund të gjendet këtu: archive.org/stream/The_Conscience_of_a_Hacker/hackersmanifesto.txt
- Përkthimi fillestar u bë nga anëtarë të LibreLabs dhe teksti i publikua pas një periudhe konsultimi publik.
- Ke sygjerime? Komento këtu: forum.librelabs.cc/t/manifestoja-ndergjegjja-e-nje-hakeri-ne-shqip/106
- Për më shumë kontekst lexo shiko video nga ‘The Mentor’ ku shpjegohet qasja e autorit të manifestos ose lexo artikullin në Wikipedia.
- Anëtarë të LibreLabs nuk kanë komente rreth manifestos - thjeshtë e kanë përkthyer.