Njihu me Fediverse dhe Mastodon: Hapi i parë drejt lirisë digjitale
Jemi të lumtur të të ftojmë në aktivitetin tonë të ardhshëm dedikuar Fediverse dhe Mastodon, ku do të zbulojmë së bashku një alternativë të qëndrueshme kundrejt platformave të mëdha të mediave sociale që dominojnë komunikimin tonë digjital sot. Në Shqipëri, ashtu si në mbarë botën, të drejtat digjitale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Privatësia online, liria e shprehjes dhe kontrolli mbi të dhënat personale janë thelbësore për një shoqëri demokratike në epokën digjitale. Duke përdorur platforma si Mastodon, te gjithë së bashku bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një interneti më të hapur, më të decentralizuar dhe më respektues ndaj përdoruesve.
Çfarë është Fediverse dhe pse duhet të të interesojë?
Në një kohë kur gjigantët e teknologjisë kontrollojnë gjithnjë e më shumë të dhënat tona personale, Fediverse paraqet një rrugë të re për komunikimin në internet. Por çfarë është Fediverse? Pak a shumë është një rrjet i decentralizuar i shumë serverëve që komunikojnë me njëri-tjetrin përmes protokolleve të përbashkëta, duke të lejuar të ndërveprosh pa pasur nevojë për një platformë të centralizuar që kontrollon përmbajtjen dhe të dhënat e tua. Kjo arkitekturë të jep më shumë kontroll mbi privatësinë, të dhënat personale dhe eksperiencën
tënde online.
Po Mastodon?
Mastodon është një nga platformat më të përdorura në Fediverse, një alternativë e hapur ndaj rrjeteve sociale tradicionale. Ndryshe nga platformat konvencionale, Mastodon: është me kodburim të hapur (FLOSS), nuk ka reklama, nuk mbledh të dhëna për qëllime marketingu dhe të lejon të zgjedhësh ku do të “jetosh” në internet.
Detaje të Aktivitetit
Si të gjitha aktivitet që organizojmë në LibreLabs janë pa pagesë. Gjithashtu nuk është e nevojshme të regjistrohesh.
📅 Data: 05.04.2025 @ 11:00
📍 Vendi: KubFrance Tirana @ Piramida
Nëse do të krijosh llogarinë tënde Mastodon gjatë eventit, të rekomandojmë të sjellësh laptopin tënd. Megjithatë, kjo nuk është e detyrueshme - mund të marrësh pjesë dhe thjesht të mësosh, dhe të krijosh llogarinë tënde më vonë. Të mirëpresim!